Lista Serbe: Serbët duhet ta votojnë LS-në

Krerët e Listës Serbe, kryetari Goran Rakiq dhe nënkryetarët, Dalibor Jevtiq e Igor Simiq, i kanë kërkuar bashkësisë ndërkombëtare që të reagojë në vendimin e KQZ-së që në zgjedhjet e 6 tetorit të votohet vetëm me dokumente të Republikës së Kosovës. Ata kanë organizuar një konferencë me gazetarë, ku kanë tërhequr vërejtjen se vetëm Lista Serbe e ka mbështetjen e shtetit të Serbisë dhe të presidentit Vuçiq, derisa subjektet tjera politike serbe i kanë quajtur të dëmshme për interesat e serbëve të Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq, që u ka bërë thirrje serbëve të votojnë vetëm për kandidatët e Listës, ka thënë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm, ndërsa ka vlerësuar se heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është brengosëse. “Dua ta njoftoj opinionin se LS-ja është ankuar, derisa partitë private të Dragan Gjillas, siç është SLS-ja e Sllobodan Petroviqit, subjektet e Rada Trajkoviqit e Aleksandar Jabllanoviq nuk e kanë kundërshtuar këtë vendim dhe madje as nuk kanë paraqitur ankesë, që për ne do të thotë se ky vendim i KQZ-së është marrë me kërkesë të tyre”, ka thënë ai, ndërkaq Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, thotë se vendimi është antiserb dhe se vetëm Lista Serbe është ankuar, shkruan gazeta “Zëri”.