Lladrovci raporton para qytetarëve

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka mbajtur takimin publik me qytetarë, ku ka raportuar për punën gjashtëmujore të tij dhe institucionit që udhëheq.

Lladrovci në takim ka përmendur projektet që janë kryer gjatë kësaj periudhe dhe ka treguar për projektet që do të kryhen në pjesën tjetër të këtij viti.

Drejtori për Buxhet e Financa, Shyqiri Bublaku ka treguar për mjetet buxhetore që ka Komuna për realizimin e projekteve gjatë këtij viti, kurse drejtori i Infrastrukturës Lokale, Idriz Hysenaj ka treguar për të gjitha projektet e realizuara gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti dhe për planifikimin e punëve qe do të kryhen gjatë pjesës tjetër të vitit.

Nga lista e investimeve kapitale janë realizuar kryesisht projektet e kanalizimeve, asfaltim të rrugëve në lagje, ujësjellës, shërbimet e varrimit, trotuare, menaxhim të mbeturinave, fillimi i pastrimit të lumit “Drenica” dhe projekte të tjera sipas planifikimit.

Qytetarët e pranishëm kanë shtruar pyetje për drejtorët e drejtorive komunale dhe kanë dhënë propozime e sugjerimet e tyre për përfaqësuesit e zgjedhur komunal lidhur me realizmin e projekteve të planifikuara për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 dhe ato që janë të planifikuara për pjesën tjetër të vitit, dhe nga kryetari Lladrovci dhe drejtorët kanë marr përgjigje për secilën pyetje të parashtruar nga pjesëmarrësit, njofton Zyra për Informim e Komunës së Drenasit.