Loxha thotë se Kosova nuk është gati për të hequr kuotën gjinore

Arbresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se me shpalljen e rezultateve nga KQZ u pa se në këtë legjislaturë do të ketë më shumë gra të cilat e kanë fituar çendin e deputetit me meritën e tyre.

Sipas saj, lidhur me këtë është rritur edhe vetëdija e qytetarëve për të votuar gratë.

Loxha thotë se qytetarët kanë vëzhguar me kujdes punën e grave në legjislaturën e kaluar, e si rrjedhojë kanë përkrahur ato.

“Kemi shumë deputetë të rijnë, apo edhe deputetë që kanë qenë pjesë e kuvendit por që kanë pasur poste ministrore. Qytetari ka ndëshkuar ata që nuk kanë punuar siç duhet. Kjo është reflektuar edhe numrin e ulëseve që janë fituar nga gratë në mënyrë meritore. Qytetari e ka njohur kontributin që gratë kanë dhënë”, ka thënë ajo.

Ajo në Express Intervista të KTV-së ka thënë se nuk duhet të hiqet kuota gjinore, pasi thotë se nuk ka nivel të vetëdijes se partive politike.

Ajo thotë se edhe gratë në anketa pranojnë se është e vështirë të jenë pjesë e partive pasi nuk iu jepet hapësirë.

“Nëse e shohim paraqitjen e grave gjatë fushatës e shohim se nuk ka qenë e kënaqshme. Kemi shumë pak gra që kanë mundur t’i adresohen masës ose të jenë pjesë e debateve. Edhe në listat zgjedhore kanë qenë gratë vetëm sa për ta përmbushur ligjin. Por, nuk shihet vullnet politik të partive që t’iu japin hapësirë”, ka thënë ajo.

Loxha thotë se është i pamjaftueshme reprezentimi i grave në strukturat vendimmarrëse të politikës.

Sipas saj, në përgjithësi partitë politike nuk kanë vizion të qartë se si t’i krijojnë hapësirë të mjaftueshme grave.

“Qytetari ka treguar se kë ka dashur ta ketë në Kuvend. Unë do t’i kisha inkurajuar gratë që ta përfaqësojnë zërin e qytetarëve. Ne kemi një grup të grave deputete që kanë marrë disa iniciative që konsideroj që nuk janë të shumta gjithashtu kanë qenë jo të zëshme. Konsideroj që duhet bërë më shumë”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se dhuna në baza gjinore, është temë e cila duhet të trajtohet më shumë nga gratë deputete të kësaj legjislature.

Sipas saj duhet të bërë më shumë që të shikohet edhe për mundësitë që gratë kanë në tregun e punës.

Duke folur për risitë në këtë legjislaturë, ajo ka thënë se ka shumë deputetë të rinj, e deputetë që kanë qenë e nuk janë votuar më.