Lule Elezi, me mjeshtërinë e saj në piano, i dha jetë koncertit të Filharmonisë mbrëmë në Prishtinë

Muzika, ky art madhështor, që gjen mënyrën e të shprehurit përmes tingujve. Një art që nuk njeh gjuhë e nuk ka kohë.

Mbrëmë Salla e Kuqe në Prishtinë, ishtë mikëpritëse e një koncerti madhështor, qe nisi e mbaroi me duartrokitje e emocione të mëdha, shkruan KultPlus.

Nën performimin e pianistes Lule Elezi dhe me dirigjent Boian Viedenoff, ky koncert ishte edhe në rolin e koncertit inaugurues, duke qenë i pari që hap sezonin për vitin 2019/2020 për të gjitha koncertet e tjera në vazhdim, që do të mbahen për 10-të muajt e ardhshëm, nga Filharmonia e Kosovës.

Koncerti filloi me interpretimin e pianistes Lule Elezi, e cila si jo rrallë herë, mahniti publikun kosovarë me performancën e saj. Gishtat e saj tek shtypnin tastet e pianos, të krijonin bindje sikur ishin krijuar vetëm për piano dhe asgjë tjetër.

Emocionet ishin të paevitueshme, ndjenjat e kënaqësia që mbizotëronte në atë sallë ku ndëgjoheshin tingujt e bukur të muzikës klasike, e bënë natën e mbrëmshme një natë të veçantë shtatori.

Boian Videnoff, i njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, u kthye para publikut të kryeqytetit tonë të bukur, për bashkëpunimin e radhës me Lule Elezin.

Lule Elezi luajti koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore.

Pjesa e dytë dhë e fundit e koncertit ishte e rezervuar për Simfoninë 9-të në e-mol, të kompozitorit çek Antonio Dvorak, ndryshe e njohur si Simfonia ‘’Nga bota e re’’. Edhe kjo nën udhëheqjen e dirigjentit Boian Videnoff.

Salla e Kuqe, ishte e mbushur plotë me dashamirës të këtij arti të bukur. Publiku jetonte në çdo notë e çdo tinguj të falur nga orkestra. Thënë shkurt, e mira e muzikës është ndjesia, e për të ndjerë duhet vetëm të dëgjosh. /KultPlus.com