Lumezi cakton tjetër prokuror në rastin e vrasjes në Deçan

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka vendosur të ndërrojë prokurorin në lëndën e vrasjes së Agonis Tetaj një ditë pasi u bë publike videoja e momentit të vrasjes që kishte ndodhur në një market Deçan në vitin 2018.

Në seancën e 16 marsit ishte bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Me këtë rasti i akuzuari Shaban Gogaj e kishte pranuar fajësinë.

“Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ricaktoj atë te një prokuror tjetër”, thuhet në deklaratën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi.

Lumezi ka kërkuar nga trupi gjykues të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së.

“Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre.  Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, thuhet në njoftim.

Lumezi ka kërkuar të përdoret gjuhë konstruktive dhe të mos ndërhyhet në dhënien e drejtësisë.

“Si Kryeprokuror i Shtetit, siguroj familjen dhe të gjithë qytetarët se do të angazhohem për drejtësi maksimale për këtë rast”, thuhet më tej në njoftim.

Një ditë më parë, Isuf Tetaj, babai i tani të ndjerit Agonis Tetaj, përmes një e-maili dërguar mediave, organizatave joqeveritare dhe ambasadave të huaja në Kosovë, kishte publikuar videon e aktit të vrasjes së djalit të tij.

Ai kishte kërkuar drejtësi, pasi në këtë rast, është rikualifikuar vepra penale nga prokurori Agron Uka, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, të cilën vepër të rikualifikuar e ka pranuar i akuzuari Shaban Gogaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.