Lushtaku mungon në sofrën tradicionale

Në Runik të Komunës së Skenderajit, sot pasdite është organizuar aktiviteti i radhës “Sofra tradicionale” me gatime tona tradicionale për nder të bashkatdhetarëve tanë të cilët ndodhen për pushime në vendin e tyre të lindjes.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryetari i Komunës, z.Bekim Jashari, nënkryetari z.Nuredin Lushtaku, deputeti i Parlamentit, z.Bekim Haxhiu, drejtorë komunal, shkrimtari ynë i njohur, z.Daut Demaku, bashkatdhetarë, asamblistë e qytetarë tjerë të shumtë. Ajo që ka rënë në sy në aktivitetin e organizuar nga Komuna e Skenderajit, ka qenë mungesa e ish kryetarit të kësaj komune, Sami Lushtaku.

Në hapje të aktivitetit, kryetari Jashari, duke iu uruar mirë se ardhje bashkatdhetarëve, ka thënë se këto organizime nuk mund të krahasohen me kontributin e diasporës, që po vazhdon ta mbajë gjallë ekonomimisht Kosovën dhe qytetarët e saj.

Aktiviteti i Sofrës tradicionale ka vazhduar deri në orët e vona me këngë nga Ansambli Drenica dhe humor e aforizma popullor.

Nën patronatin e kryetarit të Komunës, z.Bekim Jashari, tash e sa ditë po mbahen aktivitete kulturore e argëtuese për nder të ardhjes së bashkatdhetarëve tanë. Ditëve në vazhdim do të ketë të tjera ngjarje.