Lutfi Haziri: LDK ka gjetur kandidatin e duhur për kryeministër, oferta e LVV e pafavorshme për ne

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka deklaruar se partia e tij ka qenë në dijeni më herët për ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje, por që sipas tij nuk është e qartë pse LVV-ja e bëri publike.

“Komunikimi jonë ka qenë në nivel korrekt. E kemi ditur për ofertën edhe më herët” deklaroi Haziri.

Por i pyetur se pse Vetëvendosja vendosi që ta bëjë publike ofertën e tyre, ai tha se kjo mbetet çështje e brendshme e LVV-së por LDK-së nuk i ka mbetur hatri.

“Kjo është politikë e tyre për të vepruar kështu. E kanë bërë veprimin e vet, ne nuk kemi hatër mbetje dhe jemi përgjigjur menjëherë pas disa minutave dhe publikisht e kemi sqaruar pozicionin tonë”, tha nënkryetari i LDK-së në T7.

Por gjithsesi, Haziri tha se kjo nuk nënkupton që LDK nuk e ka pranuar ofertën, por që oferta e tyre ka qenë politikisht e favorshme vetëm për LVV-në.“Nuk është mospranim, është përfundim i bisedimeve” tha Haziri, duke shtuar se “Kërkesa e tyre ishte politikisht e favorshme për LVV-në dhe politikisht e pafavorshme për LDK-në”.

Ai shtoi se LDK ka gjetur kandidatin e duhur dhe se ky kandidat ishte i përshtatshëm si për LDK-në ashtu edhe për partitë e tjera dhe tregoi se renditja në listë nuk ka rëndësi të madhe.“Me nominimin i cili mbart politikat e përbashkëta, kemi gjetur njeriun e qëlluar për LDK-në dhe njeriun e pranuar për të tjerët” tha Haziri, duke shtuar se “Vjosa ka qenë numër 81 në listë dhe ka dalë deputetja më votuar, numri 1 dhe 2 nuk janë udhëzim për nominim”.

Në fund Haziri tha se mes tij dhe Vjosa Osmanit nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë asnjëherë rivalitet.

Lidhja Demokratike e Kosovës e kandidoi Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre të vendit. Ky subjekt politik ishte në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje por që nuk arritën koalicion parazgjedhor.Lëvizja Vetëvendosje i kishte bërë ofertë publike LDK-së për të hyrë në një listë të përbashkët por pa një kandidat për kryeministër. E personi që ka numrin më të madh të kandidatëve, do të ishte edhe kryeministër. Këtë ofertë e kishte refuzuar LDK-ja me arsyetimin se kjo do të krijonte garë të brendshme e jo garë ndaj PAN-it. / Zëri