Lutfi Haziri: Më 28 Nëntor do t’i ndahet çmimi Heroina e Qytetit, Shyhrete Tahiri Sylejmanit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim zonjën Shyhrete Tahiri Sylejmani, e cila ditë më parë e denoncoi kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës, si viktimë e mbijetuar e dhunës seksuale të luftës së fundit.

Haziri e ka përgëzuar zonjën Tahiri Sylejmani për guximin dhe heroizmin e treguar në publik, për zbardhjen pjesës së rëndë dhe të errët që e ka kaluar populli i Kosovës në luftën e fundit, transmeton Klan Kosova.

Haziri tha zonja Shyhrete Tahiri Sylejmani do ta ketë gjithmonë përkrahjen e gjilanasve, ndërkaq ka njoftuar se do ta iniciojë vendimin për ndarjen e çmimit Heroina e Qytetit më 28 Nëntor të këtij viti.

Ndërsa, Shyhrete Tahiri Sylejmani e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen e ofruar nga ana e tij, sikurse edhe mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Gjilanit dhe të familjarëve.

Në këtë takim, kreu i Gjilanit ka informuar se do ta iniciojë edhe vendimin për ndarjen e çmimit Heroina e Qytetit edhe për tri gratë e dëshmorëve, Hyrije Baftiu, Fatime Ahmeti dhe Mevlide Hyseni.