LVV: Auditori shpërfaq keqqeverisjen e PDK-së në Kaçanik

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Kaçanik, përmes një komunikate ka theksuar se ”Auditori i përgjithshëm në raportin e tij të përvitshëm mbi çështjet kryesore që dalin nga auditimi i Pasqyrave Vjetore Financiare të Komunës së Kaçanikut për vitin 2018, ka gjetur parregullsi të shumta dhe shqetësuese.

Paaftësi për të menaxhuar me paratë publike, mosrespektimi i legjislacionit lidhur me punësimet, nivel i ulët i inkasimit të të hyrave, të gjitha kontratat me ankesë prej 10%, mbi 17% të mjeteve nga investimet kapitale mbesin pa u shpenzuar, moszbatimi i rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm, janë vetëm disa nga gjetjet e Auditorit Gjeneral për vitin 2018 për qeverisjen e Komunës së Kaçanikut.

Në një kohë kur nevojat dhe kërkesat e qytetarëve janë të mëdha, Komuna e Kaçanikut dështon të shpenzojë buxhetin për investimet kapitale. Si pasojë e kontrolleve të pamjaftueshme menaxheriale, një pjesë e buxhetit për investime kapitale dhe mallra e shërbime nuk është shpenzuar. Nga buxheti për investime kapitale, 344.356 € apo 17.21% nga buxheti i vitit të kaluar është kthyer mbrapsht si pasojë e paaftësisë për të menaxhuar dhe mungesës së ideve e projekteve investuese. Përkundër varfërisë së lartë, mungesës së zhvillimit, infrastrukturës së dobët publike, shërbime të dobëta të shëndetësisë primare e cilësi e ulët në arsim, Komuna e Kaçanikut nuk gjetur dhe nuk ka arritur që t’i shpenzojë rreth 350 mijë euro.

Për më tepër, raporti i auditorit konfirmon ndjekjen e praktikave të gabuara që shmangin ligjet dhe ruajtjen e parasë e publike. Ngjashëm si edhe më parë, auditori ka evidentuar një sërë shkeljesh të ndryshme, në disa sektorë të rëndësishëm të cilat kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë interesin e përgjithshëm qytetarë. Sjellja me pasurinë dhe paranë publike në mënyrë abusive nuk mund të shmang pafundësisht ndëshkimin ligjor dhe politik për të gjithë ata që kanë qenë dhe janë përgjegjës për menaxhimin e mirë dhe të drejtë të buxhetit komunal.

Raporti i Auditorit të përgjithshëm ka nxjerrë në pah një sërë shkeljesh ligjore dhe menaxhim i dobët, sidomos në sektorin e prokurimit në komunën e Kaçanikut. Lëvizja Vetëvendosje! në Kaçanik ka shqyrtuar me kujdes këtë raport në të cilin konstatohet se nuk janë përmbushur rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm të vitit paraprak rreth shkeljeve dhe përmirësimin e menaxhimit të parasë publike, sikurse paralajmëron për dëmet që po i shkaktohen buxhetit të komunës nga parregullsitë dhe keqpërdorimet në sektorin e prokurimit.

Në opinionin e ZKA-së, tërhiqet vëmendja për faktin se gjendja e pasurive jofinanciare nën 1.000 € në pasqyrat financiare vjetore në vlerë prej 160.890 € nuk përputhet me vlerën financiare të pasurive jofinanciare në regjistrimin e pasurive për diferencën prej 135.951 € . Edhe asetet kapitale janë të mbivlerësuara për vlerën prej 16.816€, duke u nënvlerësuar asetet nën 1.000€ si rezultat i keqklasifikimit.

Ndër tjera, raporti liston një sërë parregullsisë me rreziqet që mbartin në menaxhimin e dobët të parasë publike:

• Dobësi në mosfunksionimin e duhur të kontrollit të brendshëm në fushën e regjistrimit të aseteve, klasifikimi, inventarizimi, llogaritë e arkëtueshme dhe subvencionet.

• Dobësi evidente janë vërejtur në disa sisteme të rëndësishme financiare dhe raportim menaxherial.

• Nuk janë në nivel të duhur aranzhimet e qeverisjes që kanë të bëjnë me llogaridhënien, menaxhimin e rrezikut dhe raportimin menaxherial.

• Procesi i vetëvlerësimit dhe përgjigja ndaj disa prej rekomandimeve të vitit paraprak nuk po adresohet ashtu siç kërkohet.

• -Është konstatuar se ka raste kur pranimi në punë i të punësuarve për shërbime të veçanta është bërë pa shpallje të konkursit.

• -Kohëzgjatja në punë ishte në kundërshtim me ligjin dhe është konkluduar se marrëveshjet për shërbime të veçanta nuk përputhen me legjislacionin dhe poashtu për raste të caktuara nuk përputhen me deklarimin e pagave.

• Është konstatuar se pasuritë kapitale në PVF janë të mbivlerësuara për vlerën prej 16.816 € si rezultat i keqklasifikimit, e cila është dashur të regjistrohet në kodin ekonomik 13501- pasuri jofinanciare nën 1.000 €, që në këtë rast është nënvlerësuar për të njëjtën vlerë.

• Gjatë verifikimit të dosjeve të prokurimit për mallra e shërbime si dhe investime kapitale, të gjitha dosjet kanë qenë me aneks kontrata kryesisht me vlerën 10% të kontratës. Kjo jep të kuptohet se procesi i përgatitjes së kërkesave – specifikimeve teknike në dosjen e tenderit nuk janë planifikuar saktë në mënyrë profesionale.

• Evidenca të mangëta për pasurinë nën 1.000 €.

• Dobësi të identifikuara në regjistrimin e pasurive jo kapitale.

• Mungesa e mekanizmave për inkasimin e të arkëtueshmeve.

• Moszbatueshmëria e rekomandimeve të auditorit të brendshëm, ku nga 20 rekomandime vetëm 8 janë zbatuar plotësisht, 8 ishin në process, ndërsa 4 kanë mbetur të pazbatuara.

• Moszbatimi i rekomandimeve tregon mungesë vullneti të menxhmentit.

• Dobësi në kontrollet menaxheriale dhe menaxhimin e rrezikut.

• Si pasojë e kontrolleve të pamjaftueshme menaxheriale, një pjesë e buxhetit për investime kapitale dhe mallra e shërbime nuk është shpenzuar 344.356 € apo 17.21%”, thuhet në këtë komunikatë.