Mali i Zi fton në bisedë ambasadorin e Serbisë

Ambasadori i Republikës së Serbisë në Mal të Zi, Zoran Bingulac, është ftuar sot në bisedë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, për shkak të, siç thuhet, deklaratave të vazhdueshme negative të zyrtarëve shtetërorë dhe të tjerë serbë rreth çështjeve të brendshme në Mal të Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto deklarata kanë kulmuar me prononcimin e ministrit për inovacione dhe zhvillim teknologjik në qeverinë serbe, Nenad Popoviç.

Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi, sekretari shtetëror Zoran Jankoviç ka shprehur shqetësimin për deklaratën e papërshtatshme të ministrit të Serbisë, duke shpresuar që Beogradi zyrtar do të distancohet nga deklarata në fjalë.

“Kualifikimet e rënda të shprehura në llogari të presidentit të Malit të Zi janë të papranueshme, nuk janë në përputhje me marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe nuk kontribuojnë në bashkëpunimin e përgjithshëm të dy shteteve”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në të theksohet se Jankoviç e ka cilësuar si të papërshtatshme, intensive dhe negative fushatën e cila “pa të drejtë dhe pa argumente” po udhëhiqet në Serbi në lidhje me draft-ligjin për lirinë e përkatësisë fetare apo bindjes dhe pozitës juridike të bashkësive fetare në Mal të Zi.

Rikujtojmë se pas paralajmërimit të presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, se shteti ka vendosur të miratojë ligj për lirinë e përkatësisë fetare, i cili mes tjerash parasheh që të gjitha objektet fetare të ndërtuara para vitit 1918, për të cilat organizatat fetare nuk kanë prova për pronësi, të atribuohen në pronësi të shtetit, ministri për inovacione dhe zhvillim teknologjik në Qeverinë e Serbisë, Popoviç, tha se presidenti i Malit të Zi është “krimineli më i madh në Evropë”.

Porosi të ashpra në adresë të Malit të Zi për shkak të ligjit të lartpërmendur kanë arritur edhe nga shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç dhe nga ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. /Anadolu Agency, link: https://www.aa.com.tr/sq/ballkani/mali-i-zi-fton-n%C3%AB-bised%C3%AB-ambasadorin-e-serbis%C3%AB/1511246/