Mali i Zi mbështet Kosovën për anëtarësim në NATO

Mali i Zi ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur dhe ndihmuar Kosovën për anëtarësim në NATO në nivel bilateral dhe multilateral. Kjo u bë e ditur pas vizitës së Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Malit të Zi, gjeneral brigade Dragutin Dakiq, në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.

Dakiq theksoi se Mali i Zi promovon idenë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat Euro-Atlantike dhe se ky është i vetmi qëllim që garanton paqe dhe stabilitet në rajon.

Gjatë takimit, Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Rrustem Berisha, falënderoi gjeneralin Dakiq për angazhimin e Malit të Zi në KFOR si dhe në Ekipin Këshillues e Ndërlidhës të NATO-s për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në. Ministri Berisha u fokusua në bashkëpunimin rajonal dhe theksoi se duke pasur parasysh synimin tonë strategjik për anëtarësim në NATO, prioritet i Kosovës është thellimi i bashkëpunimit më të gjitha vendet e rajonit që janë anëtare të NATO-s dhe ato që aspirojnë anëtarësim në NATO duke qenë të bindur se paqja e përhershme arrihet me anëtarësimin e secilit shtet të rajonit në NATO.

Nga ana e tij, gjenerali Dakiq përcolli gatishmërinë e Ministrit të Mbrojtjes së Malit të Zi për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit.

Gjatë vizitës së tij, shefi i ushtrisë malazeze është pritur me ceremoni ushtarake nga homologu i tij kosovar, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama. Të dy shefat e ushtrive diskutuan për marrëdhëniet e mira bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë si dhe për nevojën e zgjerimit dhe avancimit të këtyre marrëdhënieve në të ardhmen. Rama dhe Dakiq u shprehën se Mali  Zi dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira në fushën e mbrojtjes dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Komandanti i FSK-së ka thënë se synimi i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe integrimi në BE. Sipas tij, marrë parasysh që Mali i Zi deri në anëtarësimin në NATO ka kaluar nëpër të njëjtën rrugë, çdo këshillë dhe përvojë në këtë  fazë të tranzicionit ka rëndësi të madhe për ne, ka theksuar Rama sipas një komunikate për media të Ministrisë së Mbrojtjes.