Mallërat e Qeverisë së Kosovës mbërrijnë në Veri të Mitrovicës

Mediat lokale nga Mitrovica e Veriut, raportojnë se në këtë pjesë të qytetit kanë arritur dy kamionë me produkte elementare ushqimore të cilat Qeveria e Kosovës i ka dërguar në zonë.

Raportohet se kamionët janë parkuar në afërsi të “Mahallën e Boshnjakëve” prej ku qytetarët e Mitrovicës së Veriut mund të furnizohen me produkte themelore ushqimore dhe higjienike.

Gjatë ditës së sotme, Kryeministri Haradinaj, si reagim ndaj mbylljes së dyqaneve në veri të Mitrovicës, të cilët e ndërmorën këtë veprim si reagim ndaj taksës 100 për qind për prodhimet e Serbisë, kishte thënë se Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare.

“Asnjë qytetar i Kosovës nuk do të jetë viktimë e luftës speciale që orkestrohet nga agjentë të jashtëm. Kosova është shtet që ne e ndajmë bashkë si shoqëri”, kishte deklaruar gjatë ditës Kryeministri Haradinaj.