MAPL-ja po punon për formimin e ASK-së, kundërshtohet nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) është duke punuar në organizmin territorial të komunave. Madje kjo ministri i ka kërkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës që të delegojë anëtarët e vet në këto grupe punese.

Por Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka kundërshtuar këtë proces, i ka thënë Ekonomia Online drejtorit ekzekutiv i këtij institucioni Sazan Ibrahimi.

Sipas tij, këto mund të sjellë telashe për vendin dhe se për këtë çështje duhet të pritet deri pas krijimit të Qeverisë së re.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me 2 korrik i ka shpërndarë disa vendime, ku kërkon edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që të delegojë anëtarët e vet për pjesëmarrje në disa grupe punuese dhe një ndër grupet punuese është edhe puna rreth organizimit territorial të komunave dhe krijimit të asociacioneve”.

“Ne si Asociacion nuk kemi deleguar dhe kemi kundërshtuar këtë proces sepse mendojmë mund të sjellë telashe në Republikën e Kosovës”.

Ai thotë se kjo është tendencë që të punohet në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASK).

“Asociacioni i Komunave të Kosovës beson që këto grupe teknike do të kthehen grupe politike dhe kërkon që diskutimet për kufijtë administrativ dhe krijimin e komunave të shtyhen deri në krijimin e Qeverisë së re dhe se këto grupe punuese që po merren me krijimin e asociacioneve atëherë tendenca është të punohet në drejtim të asociacioneve të komunave serbe me shumicë”, tha Ibrahimi, raporton Ekonomia Online.

Edhe pse thotë se nga MAPL-ja u është thënë se këto janë grupe punese, ai shprehet se ato do të shëndërrohen në grupe politike për ndryshimin e kufijve administrativ të disa komunave.

“Duhet theksuar që MAPL thirret që këto grupe janë vetëm teknike dhe jo politike, mirëpo në bazë të përvojave që në Bruksel kanë filluar që të gjitha bisedimet si teknike dhe pastaj janë bartë në tavolinë politike. Ky grup punues që do të merret me krijimin e asociacioneve, atëherë tendenca është që të punohet në drejtim të asociacioneve të komunave serbe me shumicë. Kur janë çështjet e ndjeshme për Republikën e Kosovës, zakonisht minoriteti serb kërkon kushte dhe me këtë rast mund të kërkojë kushte për ndryshimin e kufijve administrativ të disa komunave”.

Komunat thotë ai se nuk kanë shprehur gadishmërinë që të bëhet ndryshimi i Ligjit mbi Kufijtë Administrativ dhe se as Asociacioni në asnjë mënyrë nuk e kanë cilësuar që krijimi i asociacioneve duhet të jetë prioritet i ndonjë mekanizmi institucional.

“MAPL këtë nuk duhet ta merr prioritet sepse nuk është kërkesë e komunave, duhet theksuar që nëse duam ta ndryshojmë ligjin mbi Kufijtë Administrativ atëherë kjo është si derivat i pakos së Ahtisarit. Në asnjë forum Komunat nuk e kanë vlerësuar si prioritet amandementimin e ligjit për Kufijtë Administrativ të komunave, por gjithashtu në asnjë mënyrë nuk e kanë cilësuar që krijimi i asociacioneve duhet të jetë prioritet i ndonjë mekanizmi institucional”. /Ekonomia Online/