Masa rigoroze në “Bondsteel” – nëse dikush tregon simptoma të koronavirusit, nuk lejohet të hyjë

Një vozitës i Kampit “Bonsteel”, ka vdekur nga koronavirusi.

Një 65-vjeçar nga komuna e Ferizajt, më 7 prill të këtij viti ka ndërruar jetë pasi që ishte i prekur me koronavirus dhe vuante nga sëmundje të tjera.

65-vjeçari kishte punuar si vozitës në kapin e ushtrisë amerikane në Ferizaj, “Bondsteel”.

I ndjeri kishte pasur kontakte me ushtarët dhe me pjesën tjetër të personelit në kampin “Bonsdteel”.

Nga KFOR-i, kanë bërë të ditur për lajmi.net, se tashmë janë identifikuar të gjitha rastet e kontaktit dhe janë izoluar personat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, mirëpo duke mos bërë të ditur se sa është numri i personave që janë vetizoluar.

“Në lidhje me rastin e një punonjësi civil, ushtria amerikane ka përfunduar procesin e gjurmimit dhe kontaktit me njerëzit me të cilët punonjësi mund të ketë pasur kontakte dhe janë marrë të gjitha masat e duhura për të izolua ata individë dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it dhënë për lajmi.net.

Tutje nga KFOR-i kanë bërë të ditur se asnjë person i cili shfaq simptoma të koronavirusit nuk lejohet të hyjë brenda kampeve.

“Kampi Bondsteel kontrollon të gjithë njerëzit që hyjnë brenda tij. Nëse ata janë kontraktorë lokalë të Kosovës dhe tregojnë shenja ose kanë një histori ekspozimi, ata nuk lejohen në kamp. Të njëjtat masa janë në fuqi brenda të gjitha bazave të KFOR-it”, bëjnë të ditur nga KFOR-i.

Mirëpo, përveç personave civil, edhe ushtarët e KFOR-it të cilët kanë simptoma ose që kanë pasur kontakte me ndonjë person të infektuar me COVID-19, atëherë merren masat dhe futen në karantinë, në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit.

Po ashtu, në rast se ushtarët e NATO-s të cilët janë në Kosovë, ata trajtohen në objektet mjekësore të KFOR-it dhe futen në karantinë.

“Për më tepër, çdo ushtar i KFOR-it që tregon shenja të infektimit nga COVID-19 ose ka pasur kontakte me dikë të infektuar, vendoset në karantinën paraprake. Për të ruajtur burimet e testeve në rajon, nëse simptomat vazhdojnë (dhe / ose ekziston një nevojë klinike) do të bëhet një test. Kjo vlen për të gjitha bazat e KFOR-it. Nëse ushtarët e NATO-s infektohen, ata trajtohen në objektet mjekësore të KFOR-it dhe futen në karantinë në mënyrë që të zvogëlojnë ekspozimin shtesë dhe më pas të evakuohen. KFOR-i është në kontakt të përditshëm me Institucionet Shëndetësore të Kosovës dhe po shpërndan të gjitha informacionet e rëndësishme”, bëjnë të ditur nga KFOR-i për lajmi.net.

Pavarësisht pandemisë së COVID-19 me të cilën po përballet e tërë bota, përfshirë edhe Kosovën, KFOR-i vazhdon të jetë në krye të detyrës së tij.

“Ndërsa zbaton plotësisht masat parandaluese kundër COVID-19, KFOR-i vazhdon të kryejë aktivitetet e saj të përditshme, duke siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it dhënë për lajmi.net.

Theksojmë se deri më tani në këtë Kosovën janë 387 persona të infektuar me koronavirus, 69 të shëruar edhe nëntë të vdekur. /Lajmi.net/

Tags: