Masat anti-covid:Gjobiten afër 10 lokale në Pejë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me inspektorët sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, kanë zhvilluar aksion në rajonin e Pejës gjatë këtyre ditëve për mbikëqyrje të masave anti-COVID, me ç’rast janë shqiptuar edhe gjoba për disa lokale të gastronomisë.

Shtatë gjoba gjithsej për operatorë të biznesit janë shqiptuar, ka thënë zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.

“Jemi në rajonin e Pejës, kemi filluar nga ora 7 me inspektime, kryesisht në lokale të gastronomisë, aty ku është pika kritike e kontrollit. Me policinë po mbikëqyrim masat anti-COVID në tërë Kosovën. Te 7 operatorë të biznesit janë shqiptuar gjoba dhe në një lokal jemi detyruar ta zbrazim dhe ka pasuar me mbyllje sepse edhe pas gjobës nuk i ka përfillur rregullat dhe urdhëresat nga inspektori. Nga Peja kemi lëvizur në Deçan, me njësitë e policisë. Po mbikëqyrim lokalet në rrugën për Deçan dhe brenda në Deçan. Pastaj do fillojmë mbikëqyrjen e masave të reja që hyjnë në fuqi në orën 12 të natës”, tha ai në KTV.

Ai ka thënë se nuk ka pasur tejkalim të sigurisë nga dikush gjatë këtij aksioni dhe se policia gjithnjë është në gatishmëri.

Thaçi ka treguar se cilat janë shkeljet më të shpeshta që janë bërë në kundërshtim me masat anti-COVID.

“Shkeljet kanë qenë të ndryshme, por dominojnë mosplotësimi i kushteve për distancën sociale. Distanca mes tyre zakonisht nuk ka qenë e duhur. Kemi hasë edhe në raste kur ka pasur organizime të ndryshme dhe për secilin rast masa ndëshkimore ka qenë konform ligjit. Në shumë raste kemi bë edhe mbyllje të përkohshme kur operatori nuk ka kuptuar me masën ndëshkimore të gjobës”, ka thënë Thaçi.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë të jenë të kuptueshëm karshi vendimeve të qeverisë.

Thaçi tha se nga gjobat për mosrespektim të masave nuk kursehet askush, pavarësisht nëse janë persona publikë apo qytetarë të thjeshtë.

“Ne nuk kemi kursyer, secili do jetë i barabartë para ligjit. Kudo që hasim shkelës, njëjtë do të pasojë gjoba sikur për të gjithë”.

Pas Deçanit, ekipet e policisë e inspektorëve do të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera për të mbikëqyrur sa po respektohet masat.

“Kemi edhe disa lokacione të marra nga operativa e stacionit regjional këtu, ato do t’i mbikëqyrim dhe njëkohësisht presim ankesa të tjera që vijnë dhe do qëndrojmë këtu varësisht nga nevoja që paraqitet”, tha Thaçi.