MASHT-i paguan dy persona për pozitën e drejtorit të Integrimeve Evropiane

Mbi 7 mijë euro ka shpenzuar Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), që nga qershori i këtij viti për pagesën e 2 drejtorëve në Departamentin e Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore.

Ky departament tash e 6 muaj i ka dy drejtorë. Paga e një drejtori në këtë institucion është mbi 600 euro, shkruan sot Koha Ditore.

Departamenti i Integrimeve Evropiane, Koordinim të Politikave dhe Çështjeve Ligjore deri më 7 qershor të këtij viti është udhëhequr nga Ferit Idrizi. Me këtë datë, MASHT-i e pezulloi Idrizin nga puna për shkak se ai e denoncoi ministrin, Shyqiri Bytyqi, në polici për kërcënim fizik. Tri ditë pas, Ministria e Arsimit e emëroi drejtoreshë të këtij departamenti, Fadile Dylën, ndonëse Idrizi ishte i pezulluar nga puna vetëm për 3 muaj.

Komisioni Disiplinor i MASHT-it, më 10 shtator përmes një vendimi, ka kërkuar kthimin e Idrizit në pozitën e mëhershme, duke konstatuar se nuk ka prova që të shqiptohen masa ndëshkuese ndaj tij. Megjithatë, që nga ajo kohë, MASHT-i nuk e ka anuluar vendimin për emërimin e drejtoreshës tjetër, Fadile Dyla, në Departamentin e Integrimeve Evropiane.

Ministri Bytyqi dhe sekretari i MASHT-it, Ekrem Kastrati, nuk janë përgjigjur për gazetën përse po lejojnë të ndodhë një gjë e tillë.

Ferit Idrizi ka deklaruar për gazetën se ai do të ushtrojë padi ndaj ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për mosrespektim të vendimit të Komisionit disiplinor dhe keqpërdorim të buxhetit. Ai e ka akuzuar ministrin se po i hakmerret për shkak të denoncimit që ia ka bërë në polici. Madje, sipas tij, sekretari Ekrem Kastrati nuk po guxon ta anulojë emërimin e drejtoreshës Dyla për shkak të presioneve nga Bytyqi.