Materiale të tjera të Speciales kanë arritur sot në zyrat e OVL së UÇK-së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hyni Gucati ka bërë të ditur se materiale të tjera janë dërguar në zyrat e OVL-së së UÇK-së gjatë ditës së sotme.

Në një konferencë për medie, Gucati tha se në dokumentet e pranuara ka deklarata të dëshmitarëve, por jo edhe emrat e tyre.

“Ka ardhur në 15:30 , ne i kemi quajtur tash “Rrufeja 2”, për shkak se ai zotëria ik si rrufeja. Ne kemi deklaruar edhe më herët, që prokuroria speciale dhe Gjykata Speciale, bashkëpunon me prokurorinë serbe dhe Gjykatën Speciale të Serbisë. Unë po ju tregojë vetëm disa fleta që i kamë para vetes, që kanë bashkëpunu serbët me Gjykatën Speciale. Ne nuk kemi pas as kohë me i kontrollu sepse ka ardh në 15:30, ka ikë si rrufeja në shpejtësi shumë të madhe ai person, jemi munduar t’i kombinojmë materialet pak me i pa se çfarë ka në to, por emra nuk ka, janë deklarata të dëshmitareve pa emër por me shifra”, tha Gucati.

Ndërkaq, nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj, ka thënë se ka pasur mbi 130 komunikime me drejtorin e policisë serbe, dhe me zyrtarë të tjerë të aparatit shtetëror të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

Hetuesit nga Prokuroria e Specializuar e Kosovës me seli në Hagë raportohet të kenë marrë 4 mijë dosje krime lufte, të cilat ishin dorëzuar kohë më parë në mënyrë anonime në selinë e OVL të UÇK-së.

Dosjet dyshohet se përfshinin emra dëshmitarësh të mbrojtur në çështjet në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

OVL e UÇK-së thotë se dosjet vërtetojnë se Dhomat e Specializuara janë të njëanshme kundër shqiptarëve të Kosovës dhe janë krijuar për të përmbushur vullnetin e Serbisë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë komentuar nëse dokumentet janë autentike.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, por ndodhen në Hagë dhe kanë staf ndërkombëtar. /Telegrafi/