Mbahet punëtori për buxhetin e komunës së Gjakovës

Drejtoria komunale për buxhet dhe financa e komunës së Gjakoves, e mbështetur nga OSBE Misioni në Kosovë, ka mbajtur punëtorinë me temën “Procesi i zhvillimit të buxhetit komunal”, me synim që të trajtoj çështjet lidhur me procesin dhe hapat e përgatitjes së buxhetit komunal. Pjesëmarrës të kësaj punëtorie ishin Kryesuesi i kuvendit, anëtarët e komitetit për politikë dhe financa, komitetin e komuniteteve, drejtorët komunalë, zyrja për barazi gjinore, zyrja për komunitete dhe kthim dhe zyra për informim.

Pas prezantimeve nga Kryesuesi Anton Shala dhe drejtori i buxhetit dhe financave Durim Halilaj për planet dhe prioritetet e projekt buxhetit komunal për vitin 2020, pjesëmarrësit diskutuan lidhur me rolin e mbikëqyrjes së legjislacionit, afatet e planifikimit dhe miratimit të buxhetit komunal, pjesëmarrjen e publikut në dëgjimet buxhetore dhe rëndësinë e dëgjimeve publike me grupe specifike, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, të hyrat komunale dhe integrimi i kornizës afatë-mesme buxhetore në dokumentet strategjike komunale.

Ndryshe, drejtori Durim Halilaj ka njoftuar se buxheti komunal 2020 ka një trend dukshëm më të mirë me rritje të të hyrave dhe rritje të madhe të investimeve kapitale. Drejtori Halilaj, ka njoftuar se para miratimit, buxheti 2020 do të vendoset para qytetarëve përmes dëgjimeve buxhetore, në menyrë që të jenë vet qytetarët ata që do të vendosin për investimet ne zonat, fshatrat dhe lagjet e tyre, njofton Komuna e Gjakovës.