Mbështetje për bashkëpunimin ndërkomunal

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka bërë të ditur se sot janë nënshkruar dy memorandume për bashkëpunim ndër-komunal. Me këtë rast janë nënshkruar memorandumet trepalëshe, mes MAPL-së dhe komunave të cilat kanë aplikuar për një projekt të përbashkët.

Ministrja Hoxhiç gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve është shprehur: “Të gjitha projektet që afrojnë komunat dhe qytetarët së bashku, janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Fondi i Bashkëpunimit Ndër-Komunitar synon të forcojë partneritetet midis autoriteteve lokale në zbatimin e projekteve të përbashkëta që ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm lokal dhe socio-ekonomik, të cilat janë në interesin e përbashkët të dy ose më shumë komunave. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të vazhdojë të ofrojë asistencë dhe mbështetje për të gjitha komunat në Kosovë në mënyrë që të krijojë kushte më të mira për jetesë.”

Fondi i Bashkëpunimit Ndër-Komunal është pjesë e buxhetit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nga kategoria e buxhetit për investime kapitale.