Mbi 1 mijë të infektuar me koronavirus gjatë javës së kaluar në Kosovë

Gjendja epidemiologjike në Kosovë duket se është përmirësuar.

Kjo vërehet nga shifrat e të infektuarve, gjatë javës së kaluar.

Që nga e hëna (26 prill) deri më dje (2 maj), janë raportuar 1493 raste me Covid-19.

Brenda kësaj periudhe kohore, si pasojë e infektimit me koronavirus kanë ndërruar jetë 54 persona.

Kosova aktualisht është pa vaksina kundër këtij virusi, pasi që kontigjenti i parë prej 24 mijë dozave është harxhuar.

Kontigjenti prej 5 mijë vaksinave pritet të vije këtë të mërkure. Nga BE kanë deklaruar se furnizimi i vendit me vaksina do të vazhdoj edhe më tej.

Zëdhënës në BE kanë thënë për Express se duke filluar nga kjo javë deri në gusht, Kosova do të furnizohet me 94 mijë e 667 doza të vaksinave.

Ata kanë deklaruar se këto doza do të plotësojnë dërgesat e para nga COVAX.

“Komisioneri do të jetë në Kosovë të mërkurën për të diskutuar me autoritetet përgjigjen ndaj pandemisë dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst. Do të ketë këste javore si për shtetet anëtare, duke filluar nga kjo javë deri në gusht. Nga gjithsej 651,000, Kosova do të marrë 94,667 për të ndihmuar vaksinimin e punonjësve mjekësorë të vijës së parë dhe grupeve të tjera të prekshme. Këto doza do të plotësojnë dërgesat e para nga COVAX, ku BE dhe shtetet anëtare janë një kontribuues kryesor me pothuajse 2.5 miliardë euro”, është thënë për gazetën.