Mbi 130 të vdekur nga përmbytjet në Gjermani

Nga përmbytjet në Gjermani numri i të vdekurve ka arritur në 133, ndërkaq numri i viktimave nga përmbytjet në gjithë Evropën Perëndimore arriti në 150.

Gjermania dhe Belgjika janë shtetet më të goditura evropiane nga përmbytjet, ku në Belgjikë janë raportuar të paktën 20 të vdekur.

Shirat e rrëmbyeshëm që përmbytën mbi 20 qytete dhe komunitete në Gjermani dhe Belgjikë kanë shkatërruar rrugë dhe qasja në internet dhe shërbimet telefonike është ndërprerë po ashtu, duke e bërë edhe më të vështirë që të vlerësohet numri i të zhdukurve.

Në qytetin Erfstand, në jugperëndim të Këlnit, niveli i lartë i ujit ka bërë që disa shtëpi të shemben. Disa njerëz besohet se janë të vdekur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut në këtë qytete.

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier pritet që të shtunën ta vizitojë Erfstandit, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.

Në orët e vona të 16 korrik, rrugët në disa qytete gjermane ende ishin nën ujë pothuajse 48 orë pasi nisën përmbytjet, por niveli i ujit ka filluar të bie.

Zyrtarët thanë se po vazhdojnë të gjejë trupa të pajetë në bodrume shtëpish, duke rritur spekulimet se viktimat kishin qenë në bodrume në tentim për ta larguar ujin nga shtëpia.

Shërbimet e emergjencës do të vazhdojnë kërkimet në zonat e prekura në perëndim të Gjermanisë edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Në mesin e të vdekurve ishin edhe 12 banorë në qytetin Sinzig, që ishin në shtëpi kujdesi për personat me nevoja të veçanta, të cilët nuk qenë në gjendje të iknin, pasi lumi Ahr, që gjendet në afërsi, doli nga shtrati dhe përmbyti zonën.

Në Belgjikë, qeveria ka konfirmuar se numri i viktimave ka arritur në 20 dhe numri i të zhdukurve është 20. Ndërkaq, mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike në një rajon belg.

Duke i quajtur përmbytjet “ndoshta më katastrofiket që shteti ynë ka parë”, kryeministri belg, Alexander De Croo e ka shpallur 20 korrikun, ditë zie kombëtare.

Luksemburgu dhe Holanda gjithashtu janë goditur nga rrjedhjet e shiut, duke detyruar autoritetet që të evakuojnë mijëra persona nga qyteti Mastrihti.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se shkalla dhe intensiteti i përmbytjeve ishin indikatorë të qartë të ndryshimeve klimatike dhe se për këtë kërkohet veprim urgjent.

Edhe kryeministri i landit gjerman, Nordrajn Vesthalen, Armin Laschet ka thënë se përmbytjet janë si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Ai ka bërë thirrje që të shtohen përpjekjet globale në luftën kundër ndryshimeve klimatike.