Në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës është duke vazhduar aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit të parave nga Trusti pensional.

Deri më tani rreth 413 mijë qytetarë kanë aplikuar për tërheqjen e këtyre parave. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi.

Demi ka thënë se shuma totale e tërheqjes deri tani është rreth 191 milionë euro.

“Deri tash kanë aplikuar rreth 413 mijë kontribuues dhe kanë përfituar rreth 191 milionë euro”, u shpreh Demi.

Ai ka bërë të ditur se afati i fundit për aplikim për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Trusti është 6 prill 2021. Aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit ka filluar më 11 dhjetor 2020.

Tërheqja e këtyre mjeteve është garantuar me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike të votuar në Kuvendin e Kosovës si ndihmë për periudhën e pandemisë COVID-19.

Qeveria e Kosovës me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Fondin Pensional parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro. /Telegrafi/