Mbi 500 persona presin për shërim jashtë vendit, shpenzohen mbi 10 milionë euro

Me pamundësi shërimi në vendin tonë, pacientë me sëmundje të ndryshme detyrohen të kërkojnë ndihmë nga shteti për tu shëruar jashtë vendit.Për nëntë muaj gjatë këtij viti pra periudhën Janar – Shtator, për shërim jashtë Kosovës kanë aplikuar gjithsej 1063 persona në Ministrinë e Shëndetësisë.Indeksonline ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë lidhur më këtë çështje, ku është thënë se gjatë këtyre nëntë muajve shuma e shpenzuar për pacientët të cilat kanë kërkuar ndihmë është 10 milionë e 563 mijë e 351 euro.

“Rastet e aplikimit për periudhën Janar/Shtator 2019 janë 1063. Rastet që kanë marrë trajtim janë 492 raste. Rastet qe janë ne pritje për trajtim janë 571 raste. Shuma e aprovuara për periudhën Janar/Shtator 2019 është 10,563,351.31 euro”, ka thënë Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë për Indeksonline.Kurse, rastet me te shpeshta janë nga klinikat e Pediatrisë, Ortopedisë, Oftalmo etj. Ndërkaq vendet të cilat pacientët e Kosovës kërkojnë më së shumti ndihmë për shërim janë Turqia, Shqipëria, Maqedonia dhe Gjermania.Ndërkaq sa i përket procedurave për shërim jashtë vendit duhet të aplikohet Në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore “Procedurat për të marrë tretman mjekësor janë: Raporti Konziliar (Mjekësor) nga QKUK, aplikacioni, kopje e letërnjoftimit, raporti shëndetësore, profatura ku pacienti dëshiron ta marr trajtimin kurse rastet nën asistencë sociale, invalid lufte, familje e dëshmoreve duhet të kenë flet-dëshmia që lirohen nga obligimet e bashkëfinancimit”.