Mbi 869 mijë euro të paguara pa dëshmi të mjaftueshme për rregullsinë e këtyre shpenzimeve

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar Raportin e Auditimit për Zyrën e Kryeministrit për vitin 2018.

Në raport, ZKA ka identifikuar shumë parregullësi në Zyrën e Kryeministrit.

E gjetura kryesore e Raportit të Auditorit në Zyrën e Kryeministrit ka të bëjë me shpenzimin e buxhetit prej 869,149 eurosh me vendime të Qeverisë nga fondi rezervë dhe nga ndarjet buxhetore shtesë gjatë vitit. Por Zyra e Kryeministrit nuk ka qenë në gjendje ZKA-së t’i ofrojë dëshmi të mjaftueshme për rregullsinë e këtyre shpenzimeve.

Qeveria e Kosovës kishte themeluar Task Forcë për pastrimin e ambientit në Kosovë dhe kishte aprovuar planin e aktiviteteve me buxhet në lidhje me aksionin “Ta pastrojmë Kosovën” për periudhën 15 shtator – 15 dhjetor 2018. Vlera e projektit ishte 815,035€ ku parashihej pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i afër 1000 deponive ilegale dhe pastrimi i mbeturinave në hapësirat publike. Për qëllime të këtij projekti, deri në fund të vitit 2018 janë kryer gjithsej pagesa në vlerë prej 806,838€.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se Zyra e Kryeministrit nuk ka kontratë me përfituesin e këtij subvencioni, OJQ-së “Ta pastrojmë Kosovën” dhe nuk ka raporte financiare dhe narrative të dorëzuara nga ana e përfituesit për arsyetimin dhe përshkrimin e saktë të artikujve të faturuar dhe aktiviteteve të kryera në kuadër të këtij projekti.