Mblidhen nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme për Lirinë

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, ka njoftuar përmes një shkrimi në faqen e tij në rrjetin social facebook, se me inicimin e tij janë mbledhur 16 nënshkrime të kuvendarëve, për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme me një pikë të vetme të rendit të ditës :“ Pezullimi i financimit të KF “Liria” për shkak të keqmenaxhimit dhe formimi i një komisioni nga Kuvendi Komunal 5 deri 7 anëtarë deri në një vendim të ri”. Shefi i kuvendarëve të AAK-së, Baldedaj ka shkruar : “E kam tërhequr vërejtjen që nga ditët e para se fati i Lirisë, do të jetë ky, rënia nga Superliga dhe kjo ka ndodhur.Kam kërkuar reagim nga Drejtoria e Kulturës dhe nga kreu i Komunës, por të gjitha reagimet kanë has në vesh të shurdhër. E udhëhequr nga “kuzhinierë” e “dilerë devizash”, Liria nuk ka mundur të ketë përfundim tjetër. Nëse këta kuzhinierë e diler devizash vazhdojnë ta udhëheqin Lirinë, Klubi ynë me traditë do të vazhdojë të shkatërrohet, prandaj duke e parë gjendjen e këtillë kam mbledhur nënshkrimet për Mbledhje të Jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.Kërkesa e parë është ndalja e financave komunale për “matrapazët” ndërsa formimi i një Komisioni nga të gjitha partitë politikë është kërkesë për gjetjen e zgjidhjes që Liria të kthehet aty ku e ka vendin”, ka shkruar kuvendari, Baldedaj.