Mbyllja e klubeve të natës, Rakacolli: Vendimi për hir të shëndetit publik, nuk respektuan masat

Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë, njëherësh kryesuese e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të përballuar pandeminë e COVID-19, sqaroi për Euronews Albania vendimin më të fundit që mbyll klubet e natës dhe ndalon muzikën pas orës 20:00.

Zëvendësministrja u shpreh se që në periudhën kur nisi rihapja e aktiviteteve klubet dhe lokalet e kishin të paracaktuar në protokollin e masave që duhet të ndiqnin në mënyrë që të minimizonin mundësinë e përhapjes së infeksionit.

“Distanca e tavolinave, mënyra e vendosjes së karrigeve dhe njerëzve në mjedise të jashtme nuk është respektuar, nuk ka nevojë të dalin pamje, një shëtitje të bënim në mbrëmje nëpër lokale dhe çdo njeri tmerrohej duke e ditur epidemiologjinë e ndërkohë të rinjtë rrinin ngjitur me njëri-tjetrin,” – u shpreh Rakacolli.

E pyetur se përse u vendos që për shkak të shkeljes nga disa biznese të ndëshkoheshin edhe bizneset e tjera që mund t’i kenë respektuar protokollet, zëvendësministrja u justifikua me argumentin se “për hir të shëndetit publik” dhe “në numra të tillë rastesh, duhej vepruar”.

“Ne nuk kemi gjetur deri tani ndonjë që t’i ketë respektuar masat, për hir të shëndetit publik, në numra të tillë rastesh, patjetër që do të merren të tilla vendime,” – u shpreh Rakacolli, e cila më tej kur u pyet për përhapjen e virusit në spitale, e konsideroi problem të tejkaluar.

“Infeksioni në QSUT është problem tashmë i kaluar dhe e kemi sqaruar disa herë që është normale që në ato vende ku trajtohen të sëmurë të infektuar dhe të sëmurë kronikë, infeksioni spitalor është i pritshëm. Të mos harrojmë se ky infeksion filloi të shfaqej kur nisi hapja e aktiviteteve,” – tha Rakacolli duke ia faturuar rastet e infektimit në spitale pakujdesisë së familjarëve dhe personelit.

“QSUT ka 57 shërbime dhe vetëm në 2 shërbime ishte ky problem, problem i përfunduar dhe i mbyllur. Ka tashmë disa javë që të dy shërbimet funksionojnë normalisht,” – këmbënguli Rakacolli.

Zëvendësministrja tha se është normale që qytetarët të kenë frikë nga spitalet në një situatë pandemie, por ajo këmbënguli që ata duhet të kenë të njëjtën qasje për rrezikshmërinë e infektimit edhe në dyqane, apo dhe lokale.

“Frikën qytetarët të mos e kenë vetëm për spitalet, por edhe kur hynë në super-markat dhe njerëzit nuk kanë maska, kur hipin në autobusë dhe gjithashtu nuk ka maska, kur ulen në kafene dhe shohin që janë ngjitur… dhe të rinjtë gjithashtu ta kenë këtë frikë kur shkojnë nëpër bare e restorante, apo diskoteka [të hapura],” – u shpreh Rakacolli duke rikujtuar se aktivitetet e ngjashme në mjedise të mbyllura kanë qenë të ndaluar që prej muajin prill.

Kryesuesja e Komitetit të Ekspertëve u pyet më tej nga gazetarja Esmeralda Mulaj edhe për testet serologjike, të cilat tashmë do të lejohen të kryhen edhe në klinika private.

“Ato laboratorë që kanë nivel sigurie do të lejohen t’i bëjnë,” – theksoi zëvendësministrja duke pretenduar se është bërë e qartë se kush nga klinikat private do të mund t’i kryejnë testet për antitrupat.

E pyetur për transportin urban, Rakacolli tha se në to ka rrezikshmëri të ulët përhapje të infeksionit nëse përdoren maskat. Ajo apeloi që qytetarët të mos i nënvlerësojnë rregullat pasi kështu mund të rrezikojnë përveçse shëndetin e tyre edhe shëndetin e të tjerëve.

Për sa i përket pandemisë së COVID-19, zëvendësministrja tha se në varësi të prirjes që do të ketë ajo do të diktojë më tej edhe në masat që do të detyrohen të merren, duke nënkuptuar këtu edhe masa të tjera të mundshme kufizuese./en/