Me 1 korrik në Prizren fillon projekti i kujdesit shëndetësor, shtëpiak dhe ambulator

Drejtuesit më të lartë të komunës së Prizrenit, të hënën kanë nënshkruar kontratë me organizatën Caritas Kosova për projektin“Kujdesin Socio-Shëndetësor, shtëpiak dhe ambulator për qytetarët e Komunës së Prizrenit”. Pjesë e kësaj ngjarje ishte kryetari i komunës, Mytaher Haskuka dhe drejtuesit më të lartë të kujdesit parësor shëndetësor, dhe drejtori i përgjithshëm i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi me bashkëpunëtorë.

Nënshkrimin e kësaj kontrate e ka vlerësuar tejet të rëndësihme kryetari, Haskuka, i cili tha se i dedikohet angazhimeve për shërbime efikase dhe të afërta mjekësore të qytetarëve. Edhe drejtori i përgjithshëm i Caritas Kosova, Don Viktor Sopi, tha se këtij akti duhet t’i gëzohen qytetarët e Prizrenit, dhe vlerësoi gatishmërinë dhe angazhimet e zyrtarëve komunal në arritjen e  kësaj marrëveshje. Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë, Visar Shehu, shpalosi detajet e kësaj kontrate e cila tha se fillon së implementuari nga data 1 Korrik, ku përgjatë një viti sa është paraparë kohëzgjatja e këtij projekti në shumë prej rreth 249 mijë eurosh, të realizohen 9500 vizita mjekësore në shtëpitë e personave që nuk mund të kenë qasje për të marrë shërbime mjekësore në institucione shëndetësore. Ai njoftoi se për këtë projekt do të angazhohen staf mjekësor prej 10 mjekësh e 30 infermierësh.

Përgjegjësi i shërbimit të Urgjencës, Gulxhan Hasani, apeloi tek familjarët e personave që kanë nevojë për shërbime mjekësore, që të kontaktojnë këtë shërbim deri në publikimin e numrave kontaktues të telefonit, që më pas të kryhen vizita në shtëpitë e tyre nga stafi mjekësor. Zyrtarë të sektorit të Shëndetësisë në Prizren, thanë në fund se i kanë kryer të gjitha përgatitjet e duhura për realizimin sa më efikas të këtij projekti.