Memli Krasniqi: Çlirimi i Kosovës ndodhi vetëm një herë dhe atë në vitin 1999

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Krasniqi ka thënë se nga 14 nëntor deri me 22 nëntor të vitit 1908, elita patriotike, intelektuale dhe atdhetare e kombit në qytetin e Manastirit, ndërtoi një kohezion kombëtar rreth të shkruarit të gjuhës shqipe, duke unifikuar alfabetin shqip.

Në këtë urim, Krasniqi iu kundërpërgjigj Lëvizjes Vetëvendosje e cila në një analizë paszgjedhore vlerësoi se “çlirimi ende nuk është arritur” dhe se ata do të luftojnë për ta arritur atë.

Kreu i PDK-së theksoi se çlirimi i vendit ndodhi vetëm një herë dhe atë në qershor të vitit 1999.

“Gjuha shqipe na ka mbajtur të bashkuar për shekuj dhe vetëdija e bartur përmes të shkruarit të gjuhës shqipe ka qenë themel i projektit kombëtar për çlirim. Çlirimi i ndërgjegjes sonë politike me shkrimin, leximin dhe artikulimin e vetëdijes, ka qenë parakusht për çlirimin politik, i cili ndonëse padrejtësisht tepër vonë, në Kosovë ka ndodhur vetëm një herë dhe atë në qershor të vitit 1999, pas luftës së lavdishme e të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aleatëve tanë”, shtoi ai.