Memorandum për vendosjen e Monumentit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren

Shoqata “Trojet e Arbrit” dhe Komuna e Prizrenit nënshkruan Memorandumin e bashkëpunimit për vendosjen e Monumentit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren.

Nue Oroshi nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit” ka njoftuar se në prag të 15 vjetorit të themelimit të saj nënshkroi një marrëveshje me Komunën e Prizrenit përkatësisht, Drejtorinë e Administratës Komunale në Prizren për vendosjen e Monumentit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren.

Marrëveshja vjen si fryt i kërkesës që ka bërë Shoqata”Trojet e Arbrit” Komunës së Prizrenit dhe vendimit të nxjerrur kohë më parë nga Asambleja e qytetit të Prizrenit për vendosjen e Monumentit të Gjergj Kastriotit -Skënderbeut në Prizren.

Së shpejti do të vendoset edhe gurëthemeli i këtij Monumenti kombëtar, kurse është planifikuar që Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qytetin e Prizrenit të vendoset më, 28 Nëntor 2019.

Shoqata”Trojet e Arbrit” ju bën thirrje të gjithë shqiptarëve që ta përkrahin këtë projekt kombëtar në veçanti të gjithë veprimtarët që janë angazhuar për të përkrahur këtë projekt i ftojmë që të aktivizohen sa ma shumë në mënyrë që Shoqata “Trojet e Arbrit” të jetë e gatshme që të plotësoj anën financiare për Monumentin e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Pas 28 Nëntorit 2019 qyteti i Prizrenit me vendosjen e këtij Monumenti do t´i lidhë tri nyjet e kryeqendrave shqiptare: Tiranën, Shkupin dhe Prishtinën ku në këto tri qendra është i vendosur Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pas përfundimit të këtij projekti me sukses do ta fillojmë fazën e dytë për ndërtimin e një e Muzeu Kombëtar të Mesjetës Shqiptare në Kalanë e Prizrenit, ka njoftuar Oroshi në FB.