Merkel dhe Macron nuk pajtohen për zgjedhjen e udhëheqësve të rinj të BE-së

Menjëherë pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, shenjat e para të mospajtimit janë vërejtur ndërmjet Gjermanisë dhe Francës, gjegjësisht ndërmjet kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron.

Bëhet fjalë për mospajtime se kush do të bëhet kryetar i Komisionit Evropian dhe për pozita të tjera udhëheqëse të institucioneve të Bashkimit Evropian, mandati i të cilave përfundon gjatë këtij viti.

Në fakt, pozita e kryetarit të Komisionit Evropian është kyçe marrë parasysh rolin e këtij institucioni në zbatimin e politikave të BE-së. Aktualisht, ky institucion është duke u drejtuar nga Jean-Claude Juncker, që është në përfundim të mandatit në këtë funksion.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se gjërat janë komplikuar më shumë si pasojë e rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Kjo për shkak se grupet politike të qendrës kanë humbur për herë të parë shumicën në parlament, ndërsa nacionalistët, liberalët dhe të gjelbrit kanë fituar më shumë terren duke ndikuar në krijimin e ndasive brenda BE-së.

Negociatat se kush do t’i drejtojë institucionet e BE-së nuk pritet të marrin fund shumë shpejt dhe kjo çështje mund të shtyhet me muaj.

Në vitin 2014 zgjedhja e Junckerit në postin e kryetarit të Komisionit Evropian nuk ishte problematike meqë ishte kandidat i Partisë Popullore (EPP), e cila kishte fituar zgjedhje në atë kohë. Por, tashmë situata ka ndryshuar duke e ditur që EPP ka humbur dhjetëra ulëse në parlament – nga 217 ulëse që kishte ajo do t’i ketë tash 180 ulëse në përbërjen e re të Parlamentit Evropian që përbehet prej 751 deputetëve.

Ndërkohë, Merkel preferon kandidatin e EPP-së, Manfred Weber, për kryetar të Komisionit Evropian, në anën tjetër, Macron ka përmendur tri kandidatura tjera për këtë post: francezin Michel Barnier, danezen me prirje liberale, Margrethe Vestager dhe holandezin e qendrës së majtë Frans Timmermans. Kjo mbase pritet ta bëjë edhe më të vështirë procesin për zgjedhjen e kreut të Komisionit Evropian.

Krerëve të tjerë të BE-së që u skadon mandati këtë vit janë kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, kryetari i Bankës Qendrore Evropian, Mario Draghi dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.