Merkel paralajmëron për një pasojë tjetër të pandemisë në shoqëri

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar se ka rrezik që pandemia ta zhbëjë progresin e arritur për barazinë gjinore, sepse  gratë po duhet të merren më shumë me kujdesin ndaj fëmijëve dhe kanë më shumë gjasa të kenë vende pune që janë më të rrezikuara.

“Duhet të sigurohemi që pandemia të mos ndikojë që të kthehemi te çështjet e vjetra gjinore, të cilat menduam se i kemi tejkaluar”, tha kancelarja gjermane përmes një video-mesazhe në prag të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Grave.

Sipas saj, gratë janë goditur në mënyrë joproporcionale nga pandemia, ndërkohë kanë qenë të papërfaqësuara mjaftueshëm në vendimmarrje, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

“Mbi 75 për qind e atyre që punojnë në sektorin e shëndetësisë janë gra, nga zyrat e mjekëve deri te spitalet, laboratoret e barnatoret, por ato përbëjnë vetëm rreth 30 për qind të pozitave menaxhuese”, tha politikania e njohur.

“Nuk mund të jetë që gratë në masë të madhe po e bartin shoqërinë tonë e njëkohësisht nuk janë të përfshira në mënyrë të barabartë në vendimet politike, ekonomike dhe sociale”, shtoi ajo.

Ndryshe, Gjermani ka vendosur që shumë masa kufizuese të mbesin në fuqi deri më 28 mars, ndonëse është lejuar hapja graduale e një pjese të dyqaneve.