Merret vendimi për kryeplakun e Strellcit që e ndryshoi deklaratën për rastin e Donjeta Pajazitajt

Kryeplaku i fshatit Strellc të Deçanit, Haki Pajazitaj, është liruar nga ndalimi, por është dënuar me gjobë në vlerë 200 euro dhe gjashtë muaj burgim me kusht, për deklarim të rrejshëm në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar avokatja e tij, Aurora Mulhaxha.

Sipas saj, Pajazitaj ka deklaruar se e ka ndryshuar deklaratën shkaku i presionit.

“Po, deklaratën ka deklaru që e ka ndërru për shkak të presionit që s’ka desht me deklaru se prej kujt. Është përgjigj për deklarim të rrejshëm dhe është dënuar me 200 euro gjobë dhe dënim me kusht 6 muaj”, ka thënë Mulhaxha për Express.

Ndryshe, Pajazitaj është arrestuar dje nga Policia e Kosovës. Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se ai është arrestuar pasi gjatë deklarimit të tij në gjykatë si dëshmitar lidhur me vrasjen e Donjeta Pajazitaj, ka rënë në kundërshtim me deklaratën paraprake.

“Deçan, 01.03.2021 – 16:15. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi i njëjti gjatë deklarimit të tij në gjykatë si dëshmitar lidhur me një rast vrasje ka rënë në kundërshtim me deklaratën paraprake. Me urdhër të prokurorit i dyshuari mbahet në ndalim policor”, ka njoftuar Policia./Gazeta Express