Mësimdhënësit i marrin pagat me koeficient të ri në dhjetor, SBASHK-u ka ende kërkesa shtesë

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – kanë pasur probleme gjatë 2 viteve qeverisje të kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Greva, jo kompensim të orëve, ngritje koeficientesh e pakënaqësi të shumta e kanë përcjellë aktivitetin e SBASHK-ut e MASHT-it, derisa ka ende çështje të pazgjidhura e të pa definuara mirë, shkruan lajmi.net.

Sipas Ligjit të Ri të Pagave, i cili përfshinë edhe mësimdhënësit, ngritja e koeficienteve përfshinë lëvizje pozitive të pagave – të cilat sipas vendimit do të duhej të ekzekutoheshin me pagën e nëntorit.

Mirëpo, sipas kreut të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, kjo me rekomandim të ministrit të Financave, Bedri Hamza, do të ndodh me pagën e dhjetorit ku do të vërehen efektet e këtij ligji.

Jashari për lajmi.net është shprehur se me pagën e dhjetorit të gjithë punëtorët e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit do të marrin pagat sipas ligjit.

“Fillimisht është thënë ashtu se në nëntor, pastaj Ministria e Financave ka thënë se me pagën e dhjetorit do të shihen efektet e Ligjit të Pagave. Sipas ministrit Hamza, buxheti është i sigurt dhe me pagën e dhjetorit të gjithë punëtorët e sektorit publik do të marrin pagat në bazë të Ligjit të Pagave që nënkupton lëvizje pozitive”, tha Jashari për lajmi.net.

Çështje tjetër e cila ka mbetur e pazgjidhur mes SBASHK-ut dhe MASHT-it është çështja e përmirësimit të koeficienteve për mësuesit e ciklit klasor, pedagogët dhe psikologët.

Kjo, me kërkesë të SBASHK-ut është thënë të jetë e barabartë me mësimdhënësit e shkollave të mesme të ulëta (6-9).

I pyetur në lidhje me këtë çështje Jashari për lajmi.net është shprehur se kërkesa e njëjtë do të përcillet edhe për ministrin e ardhshëm të arsimit, pasi konsiderojnë se kjo është e drejtë e kësaj kategorie të mësimdhënësve dhe punonjësve të arsimit.

“Ne presim që zgjedhjet të mbahen si duhet, uroj që të kemi institucione të mira, gjithashtu që ministri i arsimit të jetë njeri i arsimit që i njeh rrethanat dhe ne do të rikonfirmojmë kërkesën tonë që do t’ia dërgojmë ministrit të ardhshëm por edhe Komisionit të Kuvendit për arsim, që të bëhet përmirësim i koeficientit që mësuesit e klasave 1-5, pedagogët, psikologët dhe sekretarët të kenë koeficient si mësuesit e ciklit 6-9 dhe besoj që kjo nuk është vështirë të ndodh dhe mund të bëhet”, tha Jashari për lajmi.net.

Ai në fund ka thënë se kjo do të jetë kërkesa e parë e SBASHK-ut për ministrin e ardhshëm dhe Komisionin Parlamentar të Arsimit gjë që mund të bëhet me ndryshim-plotësimin e Ligjit për Pagat. /Lajmi.net/