Mësohet shteti se ku ndodhen Kadri e Valon Shala

Kadri e Valon Shala, pronarët e kompanisë “LDA Group” Sh.P.K”, pas vjedhjes së 2 milionë e 77 mijë eurove nga Thesari i Shtetit, janë arratisur nga vendi. Ata dyshohet se ndodhen në Turqi.

Madje, dyshja po e vazhdojnë punën edhe nga arratia.

Kadri Shala, sot ka bërë porosi për beton në kompaninë “Euroaspahlt ShPK”, përmes një numri nga Turqia.

Këtë për Insajderin e ka konfirmuar, njëri prej pronarëve të kompanisë “Euroaspahlt”, Granit Fetoshi, i cili ka konfirmuar se deri tani kanë pranuar 7 mijë e 250 nga kompania “LDA Group”.

“A ke qu beton na kun!”, i ka thënë Kadri Shala punonjësit të kompanisë së betonit, derisa i përcjell një numër të një personi tjetër në Gjakovë, i cili e kryen shërbimin për kompaninë e Shalës.

Fetoshi i ka dërguar bisedën Insajderit me Shalën, i cili porosinë sot ka bërë përmes platformës “WhatsApp”.

“…Ne edhe sot i kemi quar beton këtij personi, por na nuk e kemi njohur. Ky person (Kadri Shala) e ka kryer porosinë përmes telefonit. Dhe fizikisht ka qenë para 2-3 jave, për me na bind qe mundemi me punu me ta, interesi jonë është me shit beton. Të gjitha pagesat i ka kryer me rregull, përveç kësaj të fundit që na ka mbetur borxh diku 800 euro”, ka treguar Fetoshi për Insajderin.

Dy milionë e 77 mijë euro kishin kaluar nga Thesari i Shtetit përmes katër transaksioneve në llogarinë e kompanisë privat me bazë në Drenas, “LDA Group SHP”, me pronarë Kadri e Valon Shala.

Vjedhja nga thesari ka ndodhur në kohën e pauzës së 9 tetorit dhjetë ditë para se të bëhej publik skandali.

Transaksioni ilegal është kryer nga Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit të Shtetit sipas Prokurorisë së Shtetit krejt ky proces ka ndodhur brenda 8 minutave.

Gruda ndodhet në paraburgim kurse Kadri e Valon Shala në arrati.
Pas pranimit të mbi 2 milionë euro në llogarinë bankare të “LDA Group ShPK”, pronarët e kësaj kompanie, Kadri e Valon Shala kanë kryer edhe 17 transfere tjera, siç ka mësuar Insajderi.

Hulumtim i Gazetës Insajderi, hedhë dritë mbi një skemë të vjedhjes së shpërndarjes së mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.

Njëri prej 17 transaksioneve të kryera nga  firma “LDA Group” pas pranimit të 2 milionëshit të vjedhur nga Thesari i Shtetit, figuron se është dërguar edhe në kompaninë e betonit “Euroaspahalt SHPK”, me lokacion në Bishtazhin të Komunës së Gjakovës.

“Euroasphalt” është e regjistruar në ARBK në vitin 2008. Kryetari i Bordit të Drejtorëve të kompanisë është Kaltrin Kryeziu, drejtor dhe agjent i regjistruar Fatos Deva dhe anëtar i bordit Alban Fetoshi./Insajderi.org