Messi i afrohet rekordit të Peles

Vetëm 50 gola e ndajnë rekordin e Peles nga Lionel Messi, i cili mrekullinë mund ta bëjë qysh në edicionin e ardhshëm.

Lionel Messi nuk ka të ndalur së shënuari gola dhe po tregohet i pa konkurrent jo vetëm në La Liga, por në gjithë Evropën, duke ecur sigurt drejt “Këpucës së Artë.

Me dygolëshin e shënuar së fundmi në fitoren prej 2:0 të Barcelonës kundër Espanyolit, argjentinasi e arriti shifrën e 593 golave të shënuar në total me fanellën e gjigantit spanjoll. Kështu, ai e ka vënë në rrezik rekordin e legjendës, Pele, i cili i ka realizuar 643 gola për Santosin. Kështu, Messi tani është vetëm 50 gola larg Peles, transmeton Gazeta Express.

Në vitin e kaluar Messi e ka thyer rekordin e Gertd Mulerit, i cili i kishte shënuar 565 gola me Bayern Munichun.

50 gola duken shumë për t’u arritur. Por kështu nuk mund të thuhet edhe për Messin, i cili në çdo sezon arrin t’i shënojë nga 40 gola. Kështu që sezoni i ardhshëm mund të jetë vendimtar në historinë e Messit dhe të Peles.

Deri në fund të këtij edicioni Messi me formën e tij optimale mund t’i afrohet tutje Peles, pasi do t’i zhvillojë edhe 9 ndeshje në La Liga, kurse në Ligën e Kampionëve Bareclona do t’i zhvillojë të paktën edhe dy ndeshje. Po ashtu finalja e Kupës së Mbretit është mundësia tjetër e Messit. /Gazeta Express/