Meta ia bën të qartë shefit të NATO-s se Shqipëria mbështet tranzicionin e FSK-së në ushtri

Forca e Sigurisë së Kosovës dhe tranzicioni i saj në ushtri duket të ketë qenë temë diskutimi gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Tiranë.

Gjatë takimit të shefit të NATO-s me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, ky i fundit ia ka bërë të qartë Sekretarit Stoltenberg se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të FSK-së në ushtri multietnike dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n.

Meta, po ashtu, ka theksuar se prezenca e KFOR-it në Kosovë është e rëndësishme për stabilitetin rajonal.

“Prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe BE-së, kontribuon për një mjedis më të sigurt në terren, dhe është njëkohësisht thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, ka deklaruar Meta, thuhet në komunikatën e zyrës së presidentit shqiptar.

Gjatë këtij takimi, Meta ka shtuar se integrimi evropian dhe euro-atlantik përbëjnë të vetmen garanci të besueshme për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe begatisë në rajon.