Meta: Liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më parë 3 orë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Meta ka shkruar në Facebook se ka uruar Hotin për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes evropiane.

“Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë”.

“I premtova Kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovoj me kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës sonë të dashur, i bindur se edhe shumë qytetarë nga Kosova do ta kalojnë sezonin turistik në perlat e bregdetit dhe malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë”, ka shkruar Meta.