Meta përsërit: S’do të ketë zgjedhje lokale më 30 qershor!

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka mbrojtur sërish vendimin e tij që zgjedhjet lokale nuk duhet të mbahen më 30 qershor.

Në një intervistë për Al Jazeera, Meta ka deklaruar se ai nuk e ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës së Shqipërisë.

“Asnjë nen i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë nuk është shkelur nga presidenti. Ajo se çfarë presidenti ka bërë është pikërisht angazhimi për të mbrojtur pluralizmin politik në vend dhe garantimi i zgjedhjeve të lira e të drejta për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”, ka theksuar Meta.

Për më tepër, presidenti shqiptar ka potencuar se ai mund të ndihmojë që t’i sjellë në tavolinën e bisedimeve subjektet politike të Shqipërisë.

“Jam i sigurt se kam bërë më të mirën për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit ndërmjet Qeverisë dhe opozitës, si dhe për t’ju dhënë mundësinë të dyja palëve të qetësohen, reflektojnë dhe të hyjmë së shpejti në zgjedhje (lokale) për interesat më të mirë të Shqipërisë”, ka thënë Meta, transmeton Al Jazeera.

Dekreti i Metës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve lokale në Shqipëri u kundërshtua fuqishëm nga Partia Socialiste e kryeministrit Rama duke kritikuar se presidenti nuk ka autoritet kushtetues për të ndryshuar datën e zgjedhjeve.

Situata është komplikuar është më shumë meqë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aktualisht nuk është funksionale.

Ndërkohë, dekreti i presidentit shqiptar për t’u mos u mbajtur zgjedhjet lokale më 30 qershor ishte arsyetuar për faktin se opozita në krye me Partinë Demokratike të Lulzim Bashës ka refuzuar të marrë pjesë në këto zgjedhje.