Meta shpjegon pse nuk ju përgjigj pyetjes për zgjedhjet

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor, presidenti Ilir Meta la pa përgjigje një pyetje të socialistit Adnor Shametaj, deputet i Skraparit.

Socialisti e pyeti presidentin nëse ishte Kreu i Shtetit, në konflikt interesi me vendimin për të shtyrë datën e zgjedhjeve?

Në lidhje me këtë mospërgjigjie ka dhënë shpjegime zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, qëllimisht e shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë ndaj pyetjes së deputetit në fjalë, për të mos e dëmtuar atmosferën konstruktive të mbledhjes ku ishte i ftuar.

Kjo për arsyen se të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, përfshirë edhe ata që ankohen sot për dekretin e shfuqizuar të 30 qershorit, janë minimalisht në konflikt të dyfishtë dhe të drejtpërdrejtë interesi.

Së pari, sepse çdo deputet i Kuvendit e ka fituar mandatin e tij nga një proces zgjedhor i shtyrë, nga data 18 qershor 2017 në 25 qershor 2017, me Dekretin Nr. 10351, datë 21.05.2017, të ish-Presidentit Nishani.

Së dyti, deputetët e pranishëm sot në seancën dëgjimore, janë njëherazi edhe votues të rezolutës së Kuvendit të datës 13 qershor ku është shprehur gjykimi mbi aktet e Kreut të Shtetit, edhe anëtarë të komisionit të posaçëm, papajtueshmëri kjo që është e ndaluar nga rregullorja e Kuvendit dhe ligji.

Së treti, vetë deputeti që adresoi pyetjen, është në një situatë të katërfishtë të konfliktit të interesit:

1. Ka marrë mandatin nga zgjedhje të shtyra me dekret të Presidentit

2. Ka votuar pro miratimit të rezolutës së datës 13 qershor 2019.

3. Ka nënshkruar kërkesën fillestare për verifikimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.

4. Aktualisht është edhe kërkues, edhe vlerësues i kërkesës që po vetë ka firmosur, për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të Presidentit.”/TCh/