Meta: Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka shprehur qëndrimin se vendi nuk duhet të shkojë në konfrontim.

Ai tha se palët duhet t’i thërrasin mendjes dhe të mos tregohen egoistë por të mendojnë për të mirën e vendit.

“Mendoj që kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vjetësh, që kur Shqipëria u nda me vitin
1997, që ishte një vit mjaft fatkeq. Të gjithë t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre, sepse për interesa tërësisht egoiste dhe okulte, Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim dhe as shqiptarët me njëri-tjetrin. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sistemet përjashtuese që në vitin 1990“, deklaroi presidenti.

I pyetur nëse ka thirrur një tryezë politike për të zgjidhur krizën në vend mes palëve politike, ai u përgjigj:

“Askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë tek të tjerët aq më tepër tek presidenti. Ata e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të përgjegjshëm për pasojat që do të kenë nëse do të shkojë vendi në konfrontim” tha Meta.