Meta viziton të strehuarit në ish kampin e KFOR-it në Prizren

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë ditës së sotme ka qëndruar në Komunën e Prizrenit me ç’rast ka vizituar familjet e strehuara në ish kampin e KFOR-it në Prizren.

Meta me këtë rast ka biseduar me familjet e strehuara në Prizren si pasojë e tërmetit në Durrës.

Sot në mbrëmje u takova me bashkëqytetarët e mi, që humbën banesat si pasojë e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, të strehuar në Kampin e Inovacionit në Prizren. Bashkëbiseduam për tejkalimin e situatës emergjente dhe rikthimin në normalitet”, ka shkruar Presidenti Meta në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Presidenti Meta, me këtë rast ka falenderuar Komunën e Prizrenit për pritjen dhe përkujdesin e treguar ndaj familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

“Falenderoj Komunën e Prizrenit dhe kryetarin e saj z.Mytaher Haskuka për përkujdesjen e ngrohtë dhe vëllazërore, në veçanti vullnetarët që shërbejnë me dashuri, pa u lodhur”, ka shtuar Ilir Meta.