Miftaraj: Presidenti dhe kryeministri shkelën ligjin me emërimet në AKI

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e kanë emëruar sot shefin e ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Inspektorin e Përgjithshëm të AKI-së.

Të emëruarit në këto pozita janë, Kreshnik Gashi, i cili deri më tani ka qenë kryetar i Bordit të ARKEP-it, kurse zëvendësministri në detyrë i FSK-së, Burim Ramadanin është zgjedhur në postin e Inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se me këto emërime, presidenti dhe kryeministri në largim i Kosovës, e kanë shkelur ligjin. Sipas tij është shkelur neni 129 i Kushtetutës dhe neni 17 i ligjit për AKI-në.

“Presidenti dhe Kryeministri sot e kane shkel “vetem” pak ligjin, duke emeruar njerez te politikes ne keto dy pozita! Ligji nuk vlen per Presidentin dhe Kryeministrin. Neni 129 i Kushtetutes dhe neni 17 i Ligjit per AKI shkilen me emerimin e politikes ne keto pozita!”, ka shkruar Miftaraj, transmeton FaktePlus.

Po çka thuhet në këto nene?

Neni 129 i Kushtetutës veç tjerash thotë se AKI-ja është politikisht e paanshme dhe që zgjidhet nga Presidenti e Kryeministri, pas konsultimit me Qeverinë.

Ndërsa neni 17 i Ligjit për AKI-në thotë se punonjësit e AKI-së nuk mund të jenë anëtarë të partive politike apo marrin udhëzime prej partive jashtë AKI-së.