Miftaraj: Vendimi i Gjykatës Supreme pritet të jetë i njëjtë me atë të Kushtetueses

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pas vendimit të fundit të Panelit Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave (PZAP) i cili thotë se disa nga kandidatët të cilët kanë probleme me ligjin nga këto parti politike nuk mund të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit, kanë dorëzuar sot ankesat në Gjykatën Supreme.

Në lidhje me këtë, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nëse gjykohet kjo çështje nga perspektiva juridike dihet epilogu se si do të vendoset në këtë rast nga Gjykata Supreme.

Sipas tij, në këtë rast edhe sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mjeti juridik është i qasshëm por iluzor pa dhënë mundësi për të ndryshuar gjendjen faktike.

“E drejta në ankesë është e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.  Sidoqoftë, në rastin konkret nëse e gjykojmë këtë çështje nga perspektiva juridike kemi të bëjmë me një situatë ku të garantohet e drejta në ankesë por që paraprakisht e din epilogun se si do të vendoset në këtë rast nga Gjykata Supreme. Në këtë rast edhe sipas praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, mjeti juridik është i qasshëm por iluzor pa dhënë mundësi për të ndryshuar gjendjen faktike”, ka thënë ai.

Miftaraj po ashtu sqaroi se Gjykata Kushtetuese është autoriteti final në Kosovë për interpretimin e Kushtetutës.

“Gjykata Kushtetuese është autoriteti final në Kosovë për interpretimin e Kushtetutës dhe gjykimit nëse një e drejtë e garantuar me Kushtetutë është kufizuar nga ana e institucioneve në Republikën e Kosovës.  Në këtë drejtim Gjykata Kushtetuese ka vendosur për këtë çështje dhe mund të quhet edhe si çështje e gjykuar duke mos i dhënë hapësirë apo mundësi instancave të rregullta gjyqësore për të vendosur ndryshe.  Padyshim ky parim vlen nëse institucionet do të respektonin vendimet e GJK, të cilin e kanë obligim ligjor”, ka thënë ndër të tjera Miftaraj.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor i Ankesave dhe Parashtresave (PZAP), të martën ka refuzuar pjesërisht ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të paraqitur në PZAP, pas mos certifikimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KQZ.

Sipas vendimit të publikuar nga PZAP, nga LVV-ja Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi,  dhe nga AAK-ja Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nuk mund të certifikohen për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Kurse, sipas PZAP, lista e LVV-së dhe AAK-së në përjashtim me kandidatët e përmendur me lartë mund të certifikohet. /Telegrafi/