Milani në garë për Rashicën

Milani është futur në garë për shërbimet e sulmuesit të Kosovës, Milot Rashica. Lajmi është bërë i ditur të martën nga sajti “90minuten.de”.

Bëhet e ditur se drejtuesit e Milanit po bëjnë gati ofertën për ta bindur Werder Bremenin që ta lirojë Rashicën, transmeton Koha Ditore. Për transferimin e tij gjatë janarit, Milani është i gatshëm të paguajë 20 milionë euro. 23-vjeçari po shkëlqen edhe këtë edicion tek ekipi gjerman, pasi ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë dy asistime në tetë ndeshje në të gjitha garat.

“Është më se e qartë që shumë ekipe e duan Rashicën pas lojërave që ka treguar këtë edicion. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë, por me rëndësi është se Miloti është i qetë dhe po vazhdon të punojë shumë”, ka thënë agjenti i Rashicës, Altin Lala.

Milani nuk është ekipi i vetëm që ka shprehur interesim për Rashicën, pasi më herët ai është kërkuar edhe nga Napoli e Lazio. Rashica karrierë ka bërë edhe te Vitesse. Ka kontratë me Werderin deri më 2022. Për Kosovën ka 25 ndeshje e katër gola. / Koha.net