Miliona euro të humbura nga mosrespektimi i orarit të punës

Ligji i punës, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2010, po shkelet nga vetë institucionet e vendit, pretendojnë përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Mosrespektimi i këtij ligji, sipas tyre, po ndodh konkretisht te neni i cili përcakton orarin e punës, i cili nënkupton periudhën kohore gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbim në të mirë të punëdhënësit, raporton Radio Evropa e Lirë.

Doruntina Gashi, zyrtare për informim në Odën e Afarizmit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me këtë ligj, orari i plotë i punës zgjatë 40 orë në javë, kurse punonjësit e sektorit publik punojnë 7 orë në ditë apo 35 orë në javë, pasi sipas saj, ora e pauzës, nuk duhet llogaritur si orë pune.

“Por, institucionet dhe ndërmarrjet publike në Kosovë punojnë me orarin 08:00 – 16:00, me një orë pushim, e që i bie vetëm 7 orë në ditë, përkatësisht 35 orë në javë”, thotë Gashi duke shtuar se koha e pushimit të punonjësit, nuk duhet të llogaritet si orë pune, por si pushim. Në vendet e Bashkimit Evropian, sipas saj, pushimi nuk llogaritet si orë pune.

Edhe udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thonë se në institucionet publike nuk zbatohet Ligji i punës.

Sipas Odës së Afarizmit në Kosovë, nga mosrespektimi i orarit të plotë të punës prej 8 orësh në ditë, buxheti i Kosovës nga ky sektorë humb rreth 90 milionë euro në vit.

Paga mesatare në sektorin publik, sipas kësaj Ode është rreth 600 euro, që do të thotë rreth 3.75 euro për orë pune. Në Kosovë punohet 237 ditë në vit, përkatësisht 1896 orë gjatë vitit dhe sipas një llogarie të kësaj Ode, humbjet që pësojmë nga ora e pauzës janë 237 orë humbje, me rreth 100 mijë të punësuar krijohen rreth 88 milionë euro krijohen humbje financiare. /Radio Evropa e Lirë; link: https://www.evropaelire.org/a/orari-i-punes-sektori-publik-/30005150.html/