Mimoza Kusari – Lila mbështet Vjosa Osmanin për kryeministre

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar  kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kusari-Lila përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka shkruar se dje me kandidimin e Osmanit është fituar beteja për të drejta të barabarta.

“Lufta për barazi gjithmonë është lufta për mundësi të barabartë. Është luftë dhe përpjekje për t’u mos mohuar e drejta gruas dhe vajzës për shkak të gjinisë së saj. Kjo betejë për barazi dhe mundësi të barabartë u fitua dje në Lidhjen Demokratike të Kosovës me kandidimin e Vjosa Osmanit për Kryeministre nga kjo parti”, ka shkruar Kusari-Lila.

Ndër tjera, Kusari-Lila është shprehur se “fitorja ishte e përbashkët, e burrave dhe grave. E Vjosës në emër të gjysmës së popullatës që përfaqëson, por edhe e Kryetarit Mustafa dhe Lutfi Hazirit që dolën krah saj. LDK e bëri ashtu si duhet të bëhët, bashkë dhe me një zë”.

Për liderin e Aletrnativës, kandidimi i Osmanit ka shumë vlera dhe simbolika.

“Kandidimi i Vjosës ka shumë simbolika, por më e rëndësishmja është ajo e paralajmërimit të një etape të re të Kosovës, asaj të vlerave, barazisë dhe drejtësisë; etapës së shumë pritur nga shumica e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar ajo.

“Andaj, relaksohuni dhe besoni se me të vërtetë një grua ia doli të marrë besimin e burrave dhe grave në partinë e saj për mundësinë e barabartë të garoj për Kryeministre në bazë të meritave të saj. Gara do të jetë shumë më me vlerë dhe interesante me Vjosën pjesë e saj. Ditë e bukur dhe e mbarë ishte dje për Kosovën dhe barazinë në Kosovë”, ka përfunduar Kusari-Lila.