Ministrat shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë në garë për merita për heqje të barrierave tragtare

Maqedonia e Veriut ka anuluar vendimin për ndalimin e importimit të ikrave dhe peshqve të rinj nga Kosova, pas përmbushjes së kushteve për monitorim pasiv dhe aktiv të peshqve.

“Megjithëse me vonesë një javore është dorëzuar programi që ka të bëjë me monitorimin pasiv dhe aktiv për ikrat dhe peshqit e rinj dhe në përputhje me këtë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tashmë i ka vendosur ato në listën e vendeve nga të cilat mund të importoni ikra dhe peshq të rinj dhe kështu edhe ata i shfuqizuan masat e tyre. Shumë e rëndësishme është të theksohet fakti që ne si Qeveri dhe Ministria e Ekonomisë kemi treguar edhe një herë se do të vazhdojmë se nuk do të ketë kompromis për standardet që duhet të përmbushen”, ka deklaruar Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Nga ana tjetër, Ministri i Tregtisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala, ka bërë publike vendimin për suspendimin e ndalimit të importit në Kosovë të mjaltit dhe patates nga Maqedonia e Veriut.

“Pas reflektimit të Maqedonisë së Veriut edhe unë sot kam marr vendim që ta suspendoj vendimin për masa reciproke të para disa javëve në lidhje me produktet e Maqedonisë së Veriut që hyjnë në Kosovë”, ka shkruar Ministri kosovar, Shala, në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.