Ministri i Maqedonisë, Bekteshi: Pohimet e Kosovës nuk janë të vërteta

Përsa i përket pretendimeve nga pala kosovare se nuk është dhënë asnjë përgjigje për zgjidhjen e çështjes së importeve të vezëve dhe peshqve të rinj nga Republika e Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ministria e Ekonomisë si dhe autoritetet tjera kompetente në vend menjëherë kanë njoftuar palën e Kosovës se masa është ndërmarrë në përputhje me rregulloret e Bashkimit Evropian për importin e këtyre produkteve. Kjo është në përputhje me Marrëveshjen e OBT-së për masat sanitare dhe fitosanitare, ku Republika e Maqedonisë së Veriut është anëtare që nga 2003, njoftohet nga Ministria e Ekonomisë.

Sipas rregullave të CEFTA-s, ministria e ekonomisë që në muajin qershor në takime të rregullta të CEFTA-s i është përgjigjur palës kosovare për këtë çështje dhe gjithashtu agjencia e ushqimit dhe veterinarisë ka informuar palën kosovare se legjislacioni i ri ishte miratuar në përputhje me rregulloren evropiane, theksojnë nga Ministria.

Rasati i peshqve, vezët e peshqve dhe peshqit e vegjël do të mund të importohen nga Kosova vetëm me një kusht. Kërkohet një garanci që dëshmon se malli i importuar në vend është i sigurt për shëndetin. Nëse këtë nuk e ka Kosova, por edhe cilido vend tjetër, nuk do të mund të eksportojnë vezë peshqish dhe peshq të vegjël në Maqedoni. Përndryshe peshku i freskët mund të hyjë në vend dhe shpërndahet në markete ose vend shitje të peshqve. Ndalesa ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve, por kjo ka të bëjë edhe me respektimin e standardeve evropiane, thonë kompetentët maqedonë.

Pasi Kosova të kryejë monitorimin e vezëve dhe peshqve të vegjël  që i përgatit për eksport, do të jetë në gjendje t’i distribuojë në vend, tha ministri përkatës. Dje për Alsat, Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës Endrit Shala masën e autoriteteve në Shkup e quajti një barrierë tregtare, duke u kërcënuar me masa reciproke për produktet maqedonase

Periudhën e kaluar, agjensia e ushqimit dhe veterinarisë ka bërë përpjekje intensive për të kapërcyer problemin në mënyrë që të merren informacione adekuate për gjendjen shëndetësore të kafshëve dhe peshqve, por të dhëna të tilla nuk janë marrë, megjithëse është kërkuar disa herë nga institucioni kompetent në Republikën e Kosovës. Përfaqësuesit e tyre kanë theksuar se sistemi i mbikëqyrjes për sëmundjet e peshqve në Republikën e Kosovës nuk monitorohet, thuhet në njoftim. / Alsat-m