Ministri i Qeverisë Kurti 2 akuzohet për shfrytëzim të buxhetit të shtetit

Goran Rakiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë Kurti 2, është duke u akuzuar për shfrytëzim të buxhetit gjatë kohës kur në pushtet ishte Avdullah Hoti dhe ai mbante postin e ministrit të Pushtetit Lokal.

Kjo akuzë ndaj Rakiqit është duke u bërë nga anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, që ka marr postin e zëvendësministrit të Pushtetit Lokal, ministri kjo që në krye të saj kryeministri, Albin Kurti ka vendosur, Elbert Krasniqi, shkruan Gazeta Insajderi.

Fidan Kalaja këshilltari i lartë në Ministrinë e Pushtetit Lokal e ministrit Krasniqi, ka thënë se nevojiten vetëm dy ditë për të parë parregullsitë e qeverisjes së kaluar.

Kalaja, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka treguar se ish-ministri i kësaj ministrie, Goran Rakiq, me buxhetin e shtetit kishte paguar gjashtë këshilltarë që kanë qenë të punësuar në zyrën e zëvendëskryeministrit, përcjell Gazeta Insajderi.

“Nuk nevojiten më shumë se 2 ditë në një ministri dhe ta kuptosh se çfarë parregullsish, favore e shkeljesh ligjore janë bërë për këto vite. Ish ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal që në të njëjtën periudhë ka qenë edhe zëvendëskryeministër z. Rakić, ka shfrytëzuar buxhetin e ministrisë për të paguar gjashtë këshilltarë që kanë qenë të punësuar në zyrën e zëvendëskryeministrit. D.m.th. përpos këshilltarëve si ministër i Pushtetit Lokal nga kjo ministri ka paguar edhe këshilltar si zëvendëskryeministër”, ka shkruar Kalaja.

Tutje zëvendësministri Kalaja ka shkruar se: “prioritet e Qeverisë KURTI  janë respektimi i ligjit, menaxhimi i mirë i parasë publike, stopimi i rehatimit të militantëve partiak në institucione, integriteti dhe profesionalizmi”. /Insajderi.org