Ministri Ismaili: Shërbimet e kardiologjisë me rritje rekorde, nuk pres lëvdata nga VV-ja

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në një konferencë për media ka prezantuar “të arriturat” në shërbimet e kardiologjisë, raporton EkonomiaOnline.

Ismaili ka thënë se janë shënuar rekorde të reja sa i përket numrit të shërbimeve në kardiologji.

Ai ka thënë se brenda dy vjetësh mandat të tij, këto shërbime janë rritur për 100 për qind

Ismaili ka hequr dilemat e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ditë më parë akuzoi ministrin se nuk po bën shumë për pacientët kosovarë.

“Kohëve të fundit janë ngritë disa dyshime e publike që sistemi jonë nuk është aq funksional prandaj jam këtu të paraqes që këto shërbime janë funksionale dhe të ofrohen shërbime rekord si asnjëherë më parë. Për të arritur këtë është dashur të luftohet dukuria negative që e ka rënduar shëndetësinë që ka qenë korrupsioni”, tha ai.

Ismaili po ashtu tha se gjatë mandatit sa ai është në krye të shëndetësisë e kanë luftuar korrupsionin dhe se tani gjendja në furnizim me barna është shumë më e mirë.

“E kemi luftuar korrupsionin kudo që e kemi gjetur atë me barna me furnizim me barna dhe në mëditje apo kudo qe e ka rënduar jetën e qytetarit. Ky luftim i korrupsionit ka dhënë rezultate konkrete për shërbimet e qytetarit. Nuk duhet harruar se nga jemi nisur nga kjo shëndetësi e cila ka qenë një mision i pamundur për ta rregulluar atë. 192 operime kardiokirurgjike më shumë se në 2017″, tha Ismaili.

Ismaili shtoi se akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj këtij dikasteri nuk janë për t’u habitur, pasi kjo parti nuk ka reflektuar kurrë mirë për shëndetësinë në vend.

“Të gjitha këto janë miliona euro të cilat qytetarët tanë më parë i kanë paguar në spitale private Ky model ka shpëtuar jetë dhe kursime të mëdha për qyterarët tanë. Të gjitha këto shërbime janë shërbime për qytetarin pa dallim partiak dhe pa dallim se nga vjen. Unë pres se ky sistem do jetë funksional pra ne i kemi menduar bazat që ky sistem të qëndrojë. Nuk pres nga VV që ta përçojë një sukses të Kosovës ashtu siç nuk ka treguar asnjë sukses të sektorit të shëndetësisë”, tha ai.